Te fundit

50 mijë euro për të dhënë një vendim, gjyqtarja dhe burri i saj i shpëtojnë arrestit, largohen nga Shqipëria

Majlinda-AndreaMe kërkesë të Prokurorisë së Përgjithshme, Gjykata e Lartë ka caktuar masën e sigurisë “pezullim nga detyra” për gjyqtaren e kësaj gjykate, Majlinda Andrea, e dyshuar për veprën penale të “Korrupsionit pasiv të gjyqtarëve….”. Gjithashtu, Gjykata e Lartë ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg” për bashkëshortin e gjyqtares, Odhise Andrea, si edhe për 3 shtetas të tjerë, të dyshuar për veprat penale të “Korrupsionit pasiv të gjyqtarëve….”, në bashkëpunim dhe “Korrupsionit aktiv të gjyqtarëve…”, në bashkëpunim.

Masa e sigurimit për bashkëshortët Andrea nuk është mundur të ekzekutohet, pasi ata janë larguar jashtë Shqipërisë pak orë para se Gjykata e Lartë të vendoste masat e sigurimit ndaj tyre. Ndërkohë, janë arrestuar nga ana e Policisë së Shtetit, tre të dyshuarit Ilia Çabiri, Petraq Dashi dhe Eleni Lino.

Këta tre shtetas dyshohet se i kanë paguar gjyqtares Majlinda Andrea 50 mijë euro për të dhënë një vendim në favor të tyre, në një proces njohjeje prone që ishte në shqyrtim në Gjykatën e Lartë. Shuma e parave dyshohet se i është dhënë gjyqtares nëpërmjet bashkëshortit të saj, Odhise Andrea.

Hetimi për këtë çështje ka nisur nga Prokuroria për Krime të Rënda, e cila ka kryer veprimet e nevojshme proceduriale. Pasi është konstatuar se në veprime të dyshimta korruptive rezulton e përfshirë edhe një gjyqtare e Gjykatës së Lartë, hetimet i vijoi Prokuroria e Përgjithshme, si struktura kompentente për hetimin e zyrtarëve të institucioneve kushtetuese.

Nga aktet hetimore të deritanishme rezulton se i dyshuari Ilia Çabiri nga Saranda, në cilësinë e përfaqësuesit të një familjeje ish-pronare, ka zhvilluar disa procese gjyqësore për njohjen e një sipërfaqe toke rreth 40 hektarë, në zonën e Butrintit.

Deri në fillim të korrikut 2016, kjo çështje ishte në “fazën e studimit” në Gjykatën e Lartë. I dyshuari Çabiri është angazhuar që procesi gjyqësor në Gjykatën e Lartë të përfundonte në favor të tij. Për këtë arsye, ai ka kontaktuar me të dyshuarin Petraq Dashi, i cili nga ana e tij kishte njohje dhe komunikim me shtetasin Odhise Andrea. Ky i fundit është bashkëshorti i gjyqtares Majlinda Andrea, e cila ishte një prej anëtarëve të trupit gjykues të çështjes së të dyshuarit Çabiri në Gjykatën e Lartë.

Në vijim të kontakteve ndërmjet personave të përfshirë, i dyshuari Petraq Dashi nënshkruan një kontratë fiktive me të dyshuarit Ilia Çabiri dhe Eleni Lino, në bazë të të cilës ai deklaron se u huazon shumën prej 50 mijë euro.

Në fakt, këtë shumë, i dyshuari Petraq Dashi ia dorëzon bashkëshortit të gjyqtares së Gjykatës së Lartë, shtetasit Odhise Andrea, me qëllim dhënien e vendimit në favor të të dyshuarve Çabiri dhe Lino.

Një ditë pas dhënies së parave, konkretisht në datë 12.07.2016, trupa e Gjykatës së Lartë, pjesë e të cilës është edhe e dyshuara Majlinda Andrea, u shpreh me vendim në favor të shtetasve Ilia Çabiri dhe Eleni Lino.

Në këto kushte, Prokuroria e Përgjithshme ka krijuar dyshime të arsyeshme se shtetasit e mësipërm kanë konsumuar elementët e veprave penale të “Korrupsionit pasiv të gjyqtarëve…” dhe “Korrupsionit aktiv të gjyqtarëve….”. Për këtë arsye, Prokuroria e Përgjithshme dorëzoi kërkesat e saj në Gjykatën e Lartë, e cila vendosi, si më poshtë:

Për veprën penale të “Korrupsionit pasiv të gjyqtarëve….”, në bashkëpunim

  1. Për të dyshuarën Majlinda Andrea, gjyqtare në Gjykatën e Lartë, u vendos masa e sigurimit “pezullim nga detyra”.
  2. Për të dyshuarin Odhise Andrea, bashkëshort i gjyqtares, u vendos masa e sigurisë “Arrest në burg”

Po ashtu, për veprën penale të “Korrupsionit aktiv të gjyqtarëve…”, në bashkëpunim

  1. Për të dyshuarit Ilia Çabiri dhe Eleni Lino, në cilësinë e përfituesit të pronës, u vendos masa e sigurimit “Arrest në burg”
  2. E njëjta masë sigurimi, ajo e “arrestit në burg” u vendos edhe për shtetasin Petraq Dashi, i dyshuar si ndërmjetës për dhënien e parave.

Masat e sigurimit për shtetasit Ilia Çabiri, Eleni Lino dhe Petraq Dashi u ekzekutuan nga ana e Policisë së Shtetit, pasditen e së shtunës, datë 16.07.2016.

Ndërkohë, është shpallur në kërkim shtetasi Odhise Andrea, i cili aktualisht mban detyrën e Këshilltarit në Komisionin e Sigurisë Kombëtare në Kuvendin e Shqipërisë.

Vendimi për pezullimin nga detyra të gjyqtares së Gjykatës së Lartë, Majlinda Andrea, i përcillet Kuvendit të Shqipërisë dhe Presidentit të Republikës.