Te fundit

7 gjëra që Edi Rama nuk na i tha për importin e plehrave:

Screen Shot 2016-09-23 at 19.34.11

*Nga Edrit Shabani

Edi Rama u përpoq sot t’i hidhte hi syve njerëzve, duke theksuar që ligji i ri nuk lejon ardhjen e mbetjeve të rrezikshme, djegjen e mbetjeve apo depozitimin e tyre. Duke i thënë se kjo industri do të hapë mijëra vënde pune. Apo se nëse nuk lejohet importi Shqipëria do mbesë pa riciklim të mbetjeve të veta.

Por ai nuk na tha se:

  1. Me hapjen e rrugës për qindra maune të mbushura me mbetje, bëhet e pamundur të verifikohet nëse bashkë me to vijnë edhe mbetje të rrezikshme të cilat mund të rrezikojnë seriozisht jetën e dhjetra brezave që do vijnë (mos harro uraniumi rezaton elementë kancerogjene për qindra mijëra vjet). Industria e riciklimit është një biznes qindra miliona eurosh, çka i bën këta biznesmenë tepër të fuqishëm për të korruptuar dhe paralizuar çdo hallkë kontrolluese apo verifikuese (aftësia e tyre për të blerë kryeministra dhe deputetë, e bën mëse të qartë këtë rrezik). Nëse do shembuj të tjerë shiko se si mafia e drogës vazhdon të paralizojë çdo ditë kontrollin brenda territorit apo në kufijtë tokësor dhe ujor.
  1. Sanksionet që parashikon ligji për personat që importojnë mbetje të rrezikshme janë: gjobë (?!). Pra edhe nëse dikush kapet duke futur në Shqipëri uranium, ky person nuk rrezikon të shkoj në burg, por thjesht një gjobë, e cila duke qenë lehtësisht e pagueshme nga fitimet e biznesit, kthehet në tarifë. Pra mbetjet e rrezikshme nuk janë të ndaluara, ato thjesht kanë një taksë më të lartë.
  1. Në Shqipëri ne nuk kemi industri që do të përdorë lëndën e ricikluar. Por sipas qeverisë këto mbetje do vijnë në Shqipëri, do riciklohen dhe do shkojnë prap aty nga kanë ardhur. Po budallenj janë evropianët që nuk i riciklojnë ato në vendin e vet, por harxhojnë gjithë ato para transport vajtje-ardhje për në Shqipëri?!
  1. Përfshirja e shoqërisë civile në ligj për të monitoruar mbetjet është një tentativë sa qesharake aq edhe tinzare. Qesharake pasi shoqëria civile nuk ka as kapacitetet teknike, as përgjegjësinë dhe as mundësinë për të verifikuar 24/7 të gjitha mbetjet që vijnë në Shqipëri. Ditën që ata do ta bënin këtë, praktikisht do të bëheshin pjesë e administratës shtetërore dhe nuk do ishin më shoqëri civile. Ndërkohë është tinzare, pasi nëse/kur nesër të vijnë mbetje të rrezikshme në Shqipëri, fajtor nuk do të jenë vetëm deputetët që e votuan, apo qeveria që nuk e menaxhoi siç duket, por edhe Shoqëria civile, e cila nuk bëri detyrën që i caktohet me ligj.
  1. Ata që janë pro riciklimit të mbetjeve tona janë pikërisht kundër importit të mbetjeve, pasi me lejimin e importit nga jashtë bizneset nuk do kenë incentivë të mbledhin dhe riciklojnë mbetjet e brendshme, të cilat duan shumë investim deri në momentin e ndarjes. Pra ndërkohë që plehrat tona do t’i bëjmë mal, do riciklojmë ato të botës.
  1. I gjithë ky rrezik për jetën e brezave që do të vijnë po bëhet që të hapen 3000 vende të reja pune. E kemi dëgjuar këtë premtim nga Erion Veliaj në majë të plehrave të Sharrës, por faktet treguan se në vend të vendeve të punës, qytetarëve iu ofrohej skllavëri pa sigurime shoqërore, pa sigurime shëndetësore, dhe pa kushte teknike që i sigurojnë jetën. Pra industria e riciklimit do bëjë para, por këto para nuk do i ndajë me popullin dhe as do i derdhë në buxhetin e shtetit.
  1. Edi Rama erdhi në pushtet duke premtuar pengimin e importit (“sot dhe nesër”) të çdo lloj mbetjeje. Për më tepër i rrëzoi qytetarëve Shqiptar një referendum që ata e kishin fituar me të drejtën që i jep kushtetuta. Edhe sikur sot ai të ketë ndryshuar mendim për mirë, ai ose duhet t’i kishte rikthyer popullit referendumin, ose të hynte në zgjedhjet e 2017 duke premtuar që do importonte vetëm mbetje të riciklueshme. Çdo veprim tjetër është së paku tallje me popullin shqiptar.