Te fundit

Arrihet marrëveshja, PD do të votoj Reformën në drejtësi

lulzim_basha_konference_shtypi_pd_copy_1_13293Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha me anë të një deklarate urgjente për median ka bërë publike se më në fund është arritur edhe zgjidhja për dy çështjet që kishin mbetur pezull.

“Është rënë dakord se roli i Misionit ndërkombëtar OMN do të jetë vetëm rekomandues, vendimmarrja e shqiptarëve dhe kjo do të mishërohet në Kushtetutë. Nuk do të përjashtohet asnjë shqiptar në bazë të opinioneve apo dyshimeve”,  u shpreh kreu i demokratëve.

Lulzim Basha bëri me dije se opozita nesër do të bashkojë votat me mazhorancën dhe do të votojë reformën në drejtësi pasi çështjet për të cilat nuk arrihej konsensusi, tashmë janë zgjidhur. Bëhet fjalë për rolin e ndërkombëtarëve, që do të jetë vetëm vëzhgues dhe jo vendimmarrës, gjë që ishte kërkesa e opozitës. Po kështu, edhe kandidatët që nuk do të pranohen në postet publike, do t’u jepet motivacioni përse refuzohen në detyrën që aplikojnë, edhe kjo kërkesë e PD.

“Shumë miq në këto ditë kanë dhënë mbështetjen e tyre dhe kanë pyetur se cili ishte admirimi për këtë debat të madh të PD, ju them se qëndresa jonë bazohet në: Së pari shqiptarët meritojnë standard evropian. Bindja e dytë ka qenë se aleatët tanë të çmuar nuk do të pranonin kurrë asgjë më pak se parimet demokratike. Prandaj nuk jam lëkundur për asnjë çast. Sot kjo betejë përmbushet me një fitore, fitore e çdo shqiptari, duke nisur nga Kryeministri apo Presidenti i vendit deri tek qytetari më i thjeshtë. Tani kjo betejë ka përfunduar. Jam sot këtu t’iu them se PD është e gatshme që nesër të bashkojë votat në Parlament të versionit hibrid. Tani është koha për bashkim”, tha kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha.