Te fundit

Basha: Rama drogoi Shqipërinë, tani do ta helmojë atë

unnamed-24Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka akuzuar Kryeministrin Edi Rama se po përdor të njëjtën skemë me atë të drogës edhe për çështjen e importit të mbetjeve.

Duke folur për gazetarët pas mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Demokratike, kreu i demokratëve tha pasi u kultivua kanabis në të gjithë vendin, Kryeministri tashmë do të lejojë edhe helmimin e Shqipërisë me plehrat që do të vijnë.

Pyetje: Z.Basha cilat janë hapat që do të ndiqni për çështjen e importit të plehrave pas miratimit të ligjit?

Basha: Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka diskutuar sot me shqetësim të madh situatën e krijuar në vend pas kalimit të ligjit për importin e plehrave nga Edi Rama.

Së pari, kjo është një prerje në besë e qytetarëve shqiptarë të cilët kishin marrë të drejtën për të vendosur ata, as kjo qeveri, as ndonjë qeveri tjetër për çështjen e importit të plehrave.

Shkelja e premtimit dhe rikthimi i importit të plehrave është një aferë mafioze, korruptive. Është një aleancë e Edi Ramës me mafien ndërkombëtare të plehrave për të sjellë helme në Shqipëri dhe në këtë kuptim nuk ndryshon aspak nga aleanca e tij e shpallur botërisht me kartelin e drogës që ka mbuluar Shqipërinë me drogë.  Drogoi Shqipërinë, nuk i mjaftoi kjo, tani do të helmojë Shqipërinë.

E gjitha bëhet për milionat dhe miliardat e kësaj industrie. E gjitha bëhet për të forcuar modelin e tij, merri shumicës, jepja pakicës. Tani do ti marrë shëndetin shumicës së shqiptarëve, fëmijëve të tyre, do t’i helmojë me plehra. Do t’i japë një pakice që përfaqësojnë mafien ndërkombëtare të plehrave miliardat të cilat pastaj i përdor për të forcuar këtë model, të grabitjes së shumicës dhe majmjes së pakicës përmes blerjes së votave.

E gjitha njësoj si skema e drogës edhe skema e plehrave është në funksion të shkatërrimit të sistemit demokratik në vend, shkatërrimit të zgjedhjeve, shkatërrimit të përfaqësimit të qytetarëve, blerjes dhe skllavërimit të vullnetit të qytetarit. Me 20 mijë lekë siç e patë në Dibër, me kërcënime, me presione, me drogë, tani edhe me helme.

Kjo është një skemë e qartë të cilës duhet dhe do ti kundërvihemi bashkërisht të gjithë qytetarët shqiptarë dhe në këtë përpjekje opozita, Partia Demokratike do të luajë rolin e saj duke përdorur të gjitha instrumentet që ka në dispozicion si një opozitë parlamentare.

Vendimi i parë është vendimi për të dërguar kërkesën në Kuvend nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike për një referendum me qëllim ndalimin e plotë të importit të plehrave. E kërkojmë këtë sepse vullneti popullor u mohua me pretekstin se ligji do të anulohej.

Ligji u anulua, referendumi u anulua si rezultat i anulimit të ligjit dhe sot qytetarët ndihen të tradhtuar, nuk kanë më zërin e tyre. Zërin e tyre e ka zëvendësuar Edi Rama me një tufë mafiozësh të plehrave të cilët duan të sjellin helmet këtu.

Ndaj e para është rikthimi i zërit të qytetarëve dhe jo vetëm për çështjen e plehrave. Kjo parti është krijuar dhe ekziston për t’i dhënë zë qytetarëve.

Ndaj qëndrimi ynë është referendum për çështjen e plehrave.

Në këtë referendum PD vjen me një propozim të qartë, zero import plehrash. Dhe këtu ka nevojë për t’iu shpjeguar qytetarëve shqiptarë përse ky qëndrim.

Së pari, sepse rrethanat e sotme diktojnë një qëndrim absolut. Njësoj siç bëmë moratoriumin e mjeteve lundruese kur ishim në qeveri dhe ndaluam trafikun e qenieve njerëzore, reduktuam pothuajse në zero trafikun e lëndëve narkotike. Benefitet i panë shqiptarët. Anëtarësimi në NATO, lëvizja pa viza e qytetarëve shqiptarë, ishin përftime të drejtpërdrejta të qytetarëve shqiptarë edhe pse vendimi ishte një vendim i fortë, kundër një aktiviteti kriminal dhe absolutisht i justifikuar. Dhe sot ky është një vendim plotësisht i justifikuar edhe sa i përket vizionit tonë për zhvillimin e ekonomisë, ku turizmi, bujqësia, agrobiznesi janë ndër shtyllat më kryesore të zhvillimit ekonomik.

Edhe sa i përket realitetit ku qeveria nuk kontrollon dot ushqimin, dyert e doganave dhe portet e shqiptarëve janë të hapura për krimin, për armë, për drogë, ku ndërtohen pista për avionë. Edhe në qoftë se nuk do ta paragjykonim Edi Ramën si ryshfetmarrësin e mafies ndërkombëtare të plehrave për të sjellë helmet në Shqipëri, si do t’i besonim këtij njeriu që nuk kontrollon dot ndërtimin e pistave ajrore për drogën, mos futjen e helmeve me pretekstin e këtij ligji?!

Dhe së treti, për sa i përket industrisë ricikluese që po e përdorin mish për top. Pasi e falimentuan, pasi e goditën, pasi e gjobitën, pasi iu morën biznesin shumë prej tyre tani po e përdorin si gjoja arsyeja për këtë ligj. Industria ricikluese ka një punë të madhe për të bërë në Shqipëri para se t’i drejtohet mbetjeve të Europës, plehrave të Europës dhe me pretekstin e tyre,  shqiptarët të hanë helmet e Europës.

Ja ku e keni vendimin e qeverisë, disa prej mediave e kanë nxjerrë. Me 3 gusht, një muaj e gjysëm përpara, vetë qeveria e Edi Ramës thotë: “Mendojmë se përpara se të hapen mundësi për importim mbetjesh duhet të shihet mundësia për rritjen e eficencës dhe sasisë së ricikluar në tregun vendas. Deri tani nga të dhënat rezulton se në Shqipëri gjenerohen 386 milionë e  728 mijë e 650 kg mbetje në vit, nga të cilat 17 për qind e tyre riciklohet”. 83 për qind e mbetjeve, thotë vendimi i qeverisë është ende në treg e paprekur nga kompanitë e riciklimit.

Riciklimi i mbetjeve shqiptare, është në radhë të parë, një potencial i madh për industrinë ricikluese shqiptare dhe së dyti është një përfitim i drejtpërdrejt i Shqipërisë e cila sot është edhe më e ndotur se dje.

Lumenjtë tanë janë më të ndotur se dje, qytetet tona janë më të ndotura se dje, për fshatrat tona nuk kujtohet më njeri se ndarja administrative tani i ka zeruar, i ka hequr nga vëmendja e pushtetit lokal që ka më pak fonde se sa dje për t’u marrë me plehrat.

Ja pra ku e ke interesin publik, riciklojmë mbetjet shqiptare, të pastrojmë Shqipërinë dhe këtu Partia Demokratike ka një program të qartë për ta mbështetur me akte ligjore dhe me financim me ardhjen e saj në qeveri.

Nuk qëndron preteksti se kjo bëhet për industrinë e riciklimit. Industria e riciklimit nuk ka bërë akoma as 17 për qind të punës me mbetjet shqiptare, ka 83 për qind të punës për të bërë. Ndërkohë, ky është një pretekst për të sjellë helme në Shqipëri.

Ndaj kërkesa jonë për referendum ka  mbështetjen unanime të Grupit Parlamentar , do t’i parashtrohet Kuvendit në kohën më të shkurtër me qëllim që qytetarëve shqiptarëve t’iu kthehet zëri dhe vendimmarrja.

Ky është një vendim që nuk mund ta marrë asnjë qeveri, asnjë legjislativ, iu takon qytetarëve shqiptarë. Partia Demokratike dhe unë, jemi këtu për t’u garantuar qytetarët shqiptarë se për këtë çështje do të vendosin ata dhe vetëm ata.

Pyetje: A keni marrë kritika në grup, z. Basha mbi qëndrimin tuaj për mbetjet? I referohem këtu z.Bode, z. Patozi, z. Selami.

Basha: Jo e keni gabim, ne patëm debat. Siç kemi gjithmonë debat. Sepse përndryshe ajo kthehet në recitim të kryetarit. Nuk ka recitim, patëm një debat, një diskutim dhe një vendim unanim, siç janë të gjitha vendimet tona pasi bëhet debati, merret unanimisht vendimi. Kemi një vendim unanim, pa asnjë votë kundër. Të gjithë të bindur se kjo në radhë të parë është një kauzë qytetare, në radhë të dytë për Partinë Demokratike është kauza me të cilën ka lindur, t’i japë zë qytetarëve. Jo vetëm grupeve të interesit, por  qytetarëve shqiptarë të cilët sot janë të mendimit që duhet dhe  mund dhe do të vendosin për çështjen e plehrave dhe askush tjetër.

Pyetje: Çfarë roli do të keni ne protestën e së shtunës?

Basha: Ne mbështesim plotësisht protestën e thirrur nga Aleanca Kundër Importit të Plehrave, nga shoqëria civile. Me shumë prej protagonistëve mund të kemi patur e mund të kemi akoma diferenca opinionesh për çështje të ndryshme, por për këtë çështje kanë dhe do të kenë mbështetjen tonë të plotë.

Pyetje: Z. Basha, ka ndryshuar vizion Partia Demokratike për mbetjet, i referohem këtu një ligji që ishte miratuar qeveria “Berisha” dhe ju sot dilni disi kundër asaj që është miratuar?

Basha: Unë nuk dal disi kundër, unë dal totalisht kundër. Kundër ligjit që u miratua në vitin 2011. E kam shpjeguar këtë para disa ditësh dhe më vjen mirë që më jepni mundësinë ta përsëris.

Së pari njëherë është reflektim i  imi personal, por edhe i shumë demokratëve për t’i parë qytetarët shqiptarë në sy dhe për të pranuar vendime të gabuara. Vendime të cilët janë marrë shpeshherë edhe nën presionin e grupeve të interesit, por kanë cenuar interesin e përgjithshëm qytetar.

Thënë kjo nuk mendoj se vendimi apo ligji i 2011-ës bie në këtë kategori. Ne e morëm këtë vendim pasi certifikuam Shqipërinë si vend të sigurtë për tu futur në NATO, pasi portet , aeroportet policia shqiptare u certifikuan nga BE dhe morëm lëvizjen e lirë.

E morëm për të disiplinuar importimin e plehrave sepse u sinjalizuam se filluan të vijnë në Shqipëri mbetje të rrezikshme.

U përballëm me një vullnet qytetar, të cilin e respektuam dhe më 22 dhjetor referendumi do të vendoste. Pra ne e respektuam,  nuk e dhunuam. E respektuam këtë vullnet qytetar.

Sot jemi në kushte të tjera. Sot Shqipëria nuk është më vend i sigurte. Madje ka vende të cilat po e heqin nga lista e vendeve të sigurta dhe për çështje azili. Pse?! Sepse  droga është sheshit, krimi është sheshit, krimi komandon policinë, kap për xhakete kryeministrin, ha drekë me kryeministrin, sa në Tiranë sa në Durrës, sa në Dhërmi.  Vjedh zgjedhjet, ndërton pista avionësh droge, helmon ushqime, helmon mishin me të cilin ushqehen shqiptarët.

Kjo nuk është Shqipëria që garanton njësoj si dje apo më mirë sigurinë e kufijve. Kjo është një Shqipëri e shpartalluar nga karteli i drogës dhe i korrupsionit dhe këtu padyshim që kemi të bëjmë me një situatë, rrethanat e të cilës janë krejtësisht të ndryshme.

Por dhe po të mos ishin, edhe në qoftë se Shqipëria do të ishte po aq e sigurtë, qëndrimi parimor i kësaj partie, i imi si kryetar i saj,  është: zëri i qytetarëve.  Demokracia është demokraci e qytetarëve, jo e grupeve të interesit. Grupet e interesit kanë axhendën e tyre siç e kanë dhe partitë politike.

Por kjo parti politike, ta di çdo shqiptar, sot e tutje, nuk vendos asnjë grup interesi asnjë axhendë të interesave të veçanta mbi interesin publik që përfaqësohet vetëm dhe vetëm nga një entitet: qytetari shqiptar. Të dëgjojmë zërin e qytetarit shqiptar për importin e mbetjeve.