Te fundit

Basha: Ryshfeti 40 milion euro, shkaku i mosfinancimit nga kinezët të Rrugës së Arbrit

lulzim-basha-ne-diberKandidati për kryetar i Bashkisë së Dibrës, Sherefedin Shehu së bashku me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha u takuan me banorë të fshatrave Staravec, Shimçan, Pilafe dhe Tomin.

Problem i madh i banorëve të këtyre zonave  është punësimi, theksoi zoti Shehu i cili parashtroi dhe planin e tij. Investimet në bujqësi, në turizmin malor, stimulimi dhe nxitja e sipërmarrësve do të rrisin punësimin në këtë zonë. Ndarja administrative, theksoi Shehu u dëshmua gjatë kësaj kohe se ishte vetëm për qëllime elektorale, pasi qytetarëve u është përkeqësuar shërbimi dhe buxhetit të shtetit i është rritur kostoja nga 60 në 80 milion dollarë.

Shehu bëri të ditur dhe programin për nxitjen e shitjes së produkteve bujqësore.

“Bashkia do të bëhet ndërmjetëse midis fermerëve, tregtarëve dhe përpunuesve të produkteve bujqësore dhe blegtorale. Dhe bashkia do të bëjë atë që quhet marketingu, sepse ju jeni fermerë të vegjël, ju nuk mund të kontraktoni në mënyrë individuale.

Menjëherë do të fillojë përmirësimi dhe zgjidhja përfundimtare e problemit të ujit të pijshëm, ashtu siç do të bëjmë edhe për Peshkopinë,”- u shpreh zoti Shehu.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha theksoi se zgjedhjet në Dibër janë një mundësi për t’i  thënë jo mashtrimin, poshtërimit, arrogancës, varfërimit të qytetarëve dhe pasurimit të qeveritarëve.

Basha shprehu angazhimin e tij për të përfunduar Rrugën e Arbrit e cila u nis nga qeveria e Partisë Demokratike dhe do përfundohet prej saj.

“E gjetën gati projektin për Rrugën së Arbrit. Tani po u vjen fundi dhe nuk kanë guximin të vijnë t’u thonë dibranëve të vërtetën. E gjitha bota e ka marrë vesh që është prish me bankën kineze për shkak se kanë kërkuar ryshfet 40 milionë euro për të ndërtuar tunelin, prandaj nuk u ndërtu tuneli.  Kjo është një mundësi për t’i treguar kësaj qeverie me votë se dibranët në emër të gjithë shqiptarëve i thonë jo kësaj politike të mashtrimit, të poshtërimit, të sh’punësimit,” theksoi zoti Basha.