Te fundit

Bruçaj uron të gjithë besimtarët myslimanë për festën e Fiter Bajramit

Skender-Brucaj-1

Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Skënder Bruçaj, ka uruar ditën e sotme të gjithë myslimanët për festën e Fiter Bajramit dhe ka vlerësuar sakrificën e tyre ndaj Zotit, me agjërimin e muajit të Ramazanit.

“Lutjet, adhurimet, sakrifica, dhe ripërtëritja shpirtërore që përjetuam gjatë muajit të bekuar të Ramazanit na forcon dhe motivon ta shohim festen e Fitër Bajramit si ditën e shpresave të reja, si ditën e të kujtuarit dhe solidaritetit me njëri-tjetrin, si ditën e ripërtëritjes së vëllazërisë, miqësisë dhe dashurisë për njeriun dhe njerëzoren”, u shpreh Bruçaj.

Kreu i myslimanëve të Shqipërisë uroi që Zoti t’ia ketë pranuar sakrificën të gjithë besimtarëve që kanë agjëruar përgjatë Muajit të Madhërishëm të Ramazanit.

“Ky muaj i madhërueshëm na  mësoi se sofra e iftarit është sofra e harmonisë dhe e vëllazërisë, mes besimtarëve, mes vëllezërve dhe miqve, mes të pasurve dhe të varfërve. Të gjithë jemi të barabartë para Krijuesit, dallimi është vetëm në devotshmëri, në përkushtim, në bujari dhe te sinqeriteti në adhurim, lutje dhe vepër të mirë që bëjmë”, tha më tej Bruçaj.

Festa e Fiter Bajramit vjen pas përfundimit të muajit të Ramazanit dhe namazi i Bajramit do të falet nesër në orën 06:00, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara ish – Hotel Dajtit, Tiranë.

GE/ tvbulqiza.al