Te fundit

“BULQIZA”, një zë i ri në tregun mediatik shqiptar

Para 23 vitesh, në maj 1992, kur Bulqiza ishte ende rajon, doli numri i parë i gazetës me emrin e qytetit shqiptar më të njohur në botë. Pikërisht përfaqësues të elitës bulqizake të asaj kohe, që falë dhe kontributit të gazetës mundësuan bërjen e Bulqizës rreth më vete, pas 23 vitesh krijojnë në Tiranë Shoqatën Atdhetare-Kulturore “Bulqiza”, me President z.Lutfi Hanku dhe kryetar z.Bashkim Lami.
Pas punës instensive të grupit nismëtar, Gjykata e rrethit gjyqësor Tiranë me vendimin nr. 5007 date 20.02.2015 vendosi të urdhërojë rregjistrimin e Shoqatës Atdhetare Kulturore “Bulqiza, si OJF, vendim ky që përcakton edhe gazetën “BULQIZA” si organ të kësaj shoqate.
Një koninçidencë shumë e bukur, që pikërisht ajo redaksi që nxori nr.e parë para 23 vitesh në Bulqizë, e rithemelon këtë organ tashmë në Tiranë, si organ të Shoqatës.
Gazeta BULQIZA, me drejtor z.Edmond Isaku dhe kryeredaktor z.Halil Rama ka në stafin e saj personalitete të shquara të botës akademike e publicistike, si shkrimtarin e mirënjohur Lutfi Hanku – kryetar i këshillit Botues, Dr.Jashar Demiri për sekrorin Shkencë – Psikologji, Dr.Hajri Mandri per sektorin Kulturë-art-lëtersi, si dhe gazetarët e mirënjohur: Sakip Cami për sektorin Histori-Traditë, Eva Gjura për aktualitetin dhe Ylli Pata për rubrikën “speciale”.
Gazeta “Bulqiza” do të sjellë frymën bashkëkohore të zgjidhjes së problemeve të qytetit e të fshatrave, duke evidentuar faktorë objektivë e subjektivë që ndikojnë në ecjen përpara, në kapërcimin e krizës ekonomike e të mungesës së besimit, për të gjallëruar forcat e brendshme lëvizëse të njerëzve tanë, të freskimit të veprimtarisë publike e shtetërore në të gjitha nivelet.
E hapur për cilindo që dëshiron të shkruajë në funksion të këtij qëllimi, gazeta “Bulqiza” do të bëhet tribunë e mendimit dhe debatit publik, ku të gjejë pasqyrim puna e gjallë dhe problemet e menaxhimit të minierës së kromit e të pushtetit vendor në të gjitha hallkat.
Gazeta është e hapur për cilindo që të thotë lirshëm mendimin e tij për traditat dhe mënyrën e jetesës, për konceptet e reja për jetën.
Gazeta është e hapur për talentet e reja në letërsi dhe arte që të thonë fjalën e tyre dhe mendimin e tyre krijues, duke nxitur talentin e zhvilluar prirjet.
Urojmë që intelektualët e Bulqizës, kudo qofshin, inxhinierë e mësues, oficerë e mjekë, shkrimtarë, artiste dhe sportistë, vendas dhe të diasporës, të sjellin fjalën e tyre të pjekur në fusha të ndryshme të dijes, për të njohur më mirë traditat, kulturën e zonës, te rejat bashkëkohore në fushën e prodhimit, të ligjshmerisë e të jetës sociale.