Te fundit

DYSHIMET/ Avioni në Ishëm u rrëzua nga mbipesha me drogë, piloti mund të ketë gënjyer

rrr-1Avioni i vogël tip Piper dyshohet se u rrëzua në Ishëm të Durrësit për shkak të mbipeshës me drogë. Këto janë dyshimet e prokurorëve të krimeve të rënda, të cilët mendojnë se piloti Italian mund t’i ketë gënjyer në variantin që ai u ka thënë.

Sipas ABC News, 69-vjeçari Guido Guidi ka bashkëpunuar me Prokurorinë, por ende nuk kanë firmosur marrëveshjen e bashkëpunimit për shkak të dyshimeve se ai mund të ketë gënjyer.

Sipas ekspertëve, avioni mund të ketë fluturuar nga Italia gjatë natës dhe në mëngjes ka tentuar të ngrihet. Por për shkak të peshës së madhe të kanabisit, ka pësuar defekt dhe është rrëzuar në pistën e improvizuar. Këto dyshimet shtohen edhe nga fakti që në vendngjarje u gjetën mbetje zjarri, që mund të jenë përdorur për të orientuar avionin për t’u ulur në pistë.

Edhe pse policia nuk gjeti asnjë gjurmë droge në bordin e avionit kur shkoi në vendngjarje rreth orës 09:30, për shkak të distancës kohore deri në mbërritjen e uniformave blu, trafikantët mund të kenë pastruar vendin, kanë marrë çantat e drogës dhe janë larguar nga deti me mjete lundruese.

Të paktën këto janë dyshime të hetuesve që pritet të konfirmohen apo jo gjatë hetimeve në vazhdim. Për të verifikuar këtë pistë, prokurorët kanë kërkuar nga Kapiteneria e Durrësit të dhëna për ndonjë mjet lundrues të dyshimtë mëngjesin e së enjtes kur u rrëzua avioni pranë grykëderdhjes së Ishmit.

Për momentin, ndaj pilotit italian Guido Guidi është ngritur akuzë vetëm për shkelje të hapësirës ajrore pasi nuk kishte marrë leje për të fluturuar mbi territorin shqiptar.