Te fundit

Lubonja: Lëvizja e Metës si një digë për të penguar pushtetin autoritar të Ramës

fatos_lubonja_duke_fole_30064Lëvizjet e fundit të Ilir Metës dhe propozimi i tij për qeveri teknike pas miratimit të reformës është konsideruar nga Fatos Lubonja si një zgjidhje në interes të publikut. « …duhet thënë se interesat e Metës me interesat e një Shqipërie që kërkon të ndërtojë demokraci dhe jo pushtetin e një autokrati përputhen. Siç janë përputhur kur ai u shkëput nga Berisha më 2013, kur ky po i tejkalonte limitet që pranojnë shqiptarët për pushtet absolut të një personi/parti, duke i hequr mundësinë që të zgjidhej për herë të tretë » ka shkruar Lubonja për Panorama. Lubonja ka arritur në këtë përfundim sepse ai e sheh këtë lëvizje si një digë për të penguar pushtetin autoritar të Ramës.

”Meta nënkuptoi se ai nuk pranon të kërcënohet apo dhe të shkojë në mënyrë selektive në burg nga njeriu që ai vetë e solli në pushtet, pasi i shkoi tre vjet më parë në Gjirin e Lalëzit dhe i lëpiu tërë pështymën që kishte hedhur mbi të. O të gjithë, o asnjëri dhe mos u fshi pas ndërkombëtarëve, se ata edhe mund ta hanë, por jo ne që të njohim dhëmbë e dhëmballë – ishte nënkuptimi i fjalës së Metës » thotë Lubonja.

Megjithëse pranon se « më së shumti deklarata e Metës ishte një mbrojtje e pushtetit të tij nga rreziku Rama » Lubonja ka edhe një përgjigje për ata që i vënë përballë argumentin se Rama mbështetet nga amerikanët.

« Për ata që do të më përmendin përsëri mbështetjen e amerikanëve për Reformën, do të them se vështirë se, me gjithë të dhënat që kanë për Ramën, të mos e kenë kuptuar rrezikun që paraqet për demokracinë, prandaj dyshoj shumë se (në rastin më të mirë) duan të eksperimentojnë në Shqipëri modelin e pastrimit të korrupsionit, duke ia vënë drejtësinë një dore autoritare sipas disa modeleve që thuhet se kanë funksionuar me sukses në disa vende aziatike » thotë ai.

Dhe sipas Lubonjës « …Shqipëria, me gjithë problemet që ka, tregoi edhe një herë se kostumi i autoritarit asaj i rri ngushtë » dhe për këtë një meritë e ka dhe mbrojta që Meta i bën interesave të tij.