Te fundit

NDËRTUESI I URËS SË ZERQANIT “TRITOL, QË TË MOS MARRË JETË NJERËZISH”

 

Kjo është ura e Njësisë Administrative Zerqan që lidh 5000 banorë të kësaj njësie me rrugën nacionale Bulqizë – Peshkopi. Megjithëse problematika e saj është trajtuar disa herë pas një aksidenti tragjik të tre viteve më parë, ende për të nuk është marrë asnjë masë nga ana e instancave përgjegjëse. Banorët e Zerqanit shprehen se askush nuk e ka marrë mundimin nga autoritetet lokale apo qëndrore që të ndërhyjë për ta rregulluar urën, nga e cila tre vite më parë humbën jetën 2 të rinj.Gazetari i Mat Tv kontaktoi edhe me ndërtuesin e urës së Zerqanit para 50 vitesh, Ismail Qorri, i cili ishte i mendimit se ura në fjalë duhet shembur një minutë e më parë, për shkak të amortizimit të saj çdo ditë e më shumë. Sipas Qorrit, nuk është vetëm rasti i dy të rinjve që kanë humbur jetën prej deformimit që ka pësuar ura e Zerqanit, por edhe dhjetra raste aksidentale të tjera, ku dhjetra makina kanë rënë poshtë urës nga mungesa edhe e mbrojtësve metalike anësore. Situata bëhet akoma më e rrezikshme gjatë periudhës së dimrit. Ndërtuesi i kësaj ure, 72-vjeçari Ismail Qorri bën apel që të nisin menjëherë ndërhyrjet për ndërtimin e një ure të re, pasi me ardhjen e shtatorit shtohet rreziku edhe për jetën e nxënësve të shkollës.  3 vite më parë një automjet tip kamionçinë me të cilin udhëtonin tre persona doli nga ura e ra në zallë, për pasojë humbën jetën 2 të rinj dhe u plagos rëndë një tjetër.