Te fundit

Qentë endacakë, rrezik për qytetarët e Bulqizës (FOTO)

Qent 2Kjo është panorama që ofron Bulqiza në këto ditë vere, ku qent endacakë i gjen kudo. Si në Lagjen e vjetër ashtu edhe në Lagjen e re, duke u kthyer në një problem shumë shqetësues për qytetarët. Duke jetuar në kushte të këqija dhe duke u ushqyer me mbeturina, ata bëhen bartës të shumë sëmundjeve të rrezikshme, të cilat mund të transmetohen edhe te njeriu.

Çfarë sëmundjesh mund të kenë qentë e rrugës? 

Ndër sëmundjet kryesore që kapin qentë e rrugës, sipas mjekëve është leishmanioza, e cila është një sëmundje që prek kryesisht lëkurën. Qentë që rriten pranë kazanëve të plehrave, rreth 80 për qind e tyre janë të prekur nga kjo sëmundje. Leishmanioza është një sëmundje e rrezikshme jo vetëm brenda llojit, nga qeni te qeni, por edhe për njerëzit sepse është një sëmundje që transmetohet. Te njerëzit kjo sëmundje transmetohet nëpërmjet mushkonjave të vogla të quajtura Phlebotomus, të cilat nuk janë si mushkonjat e zakonshme. Në gjuhën popullore ato quhen edhe mushkonjat e rërës sepse rriten zakonisht në zonat bregdetare.

Transmetimi i leishmaniozës bëhet nga ndërmjetësimi i kësaj mushkonje, e cila pickon qenin e sëmurë duke u bërë mbartëse e sëmundjes nëpërmjet gjakut të infektuar e më pas pickon njeriun. Sëmundja e leishmaniozës është shumë e rrezikshme në mënyrë të veçantë për fëmijët, të cilët kalojnë në temperaturë të lartë, dhimbje kyçesh, ethe etj. Duke pasur kaq shumë qenër endacakë rreth e rrotull vendbanimeve tona mundësia e transmetimit të kësaj sëmundjeje është shumë e lartë. Sëmundje të tjera që mund të kenë qentë janë zgjebja ose siç quhet ndryshe scabiei dhe përgjithësisht probleme në lëkurë.

Qentë endacakë janë burime infeksioni duke ndotur ambientin me jashtëqitje, të cilat shpërndahen shumë afër ambienteve të banimit. Këta parazitë mund të futen në shtëpitë tona duke na infektuar ne dhe kafshët tonë shtëpiake.

Në rast kafshimi nga qen i sëmurë mund të transmetohet leishmanioza? 

Jo. I vetmi vektor transmetimi i kësaj sëmundje te njeriu është nëpërmjet mushkonjës. Kurse nga qeni te qeni sëmundja transmetohet edhe nga kontakti i drejtpërdrejtë, por kjo ndodh më rrallë.

Cila është rruga e duhur për t’i larguar qentë nga rruga?

Alternativa më e mirë është grumbullimi i tyre në një qendër të caktuar jashtë qytetit, ku të vaksinohen dhe të sterilizohen, për të ulur shtimin e tyre. Më pas mund të punohet që këta qen të gjejnë një familje, ashtu siç ndodh kudo në botë, pasi këto kafshë janë njësoj si të tjerat dhe përshtaten shumë lehtë me ambientet e shtëpisë. Përgjegjësia që kjo situatë ka degraduar është e bashkisë, pasi nuk ka treguar asnjëherë vullnet për të ndërhyrë. Janë dhënë disa herë fonde, por asnjëherë këto të ardhura nuk janë përdorur për qentë.

SC/tvbulqiza.al

Qent 1