Te fundit

Qeveria krijon Agjencinë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve

download

Qeveria shqiptare ka miratuar ditën e sotme krijimin e Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve, që do të jetë në varësi të Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës.

Detyra e kësaj agjencie do të jetë koordinimi dhe monitorimi i të gjitha aktiviteteve sektoriale për sigurimin  e shërbimit me ujë të pijshëm , kanalizimeve dhe ujërave të ndotura, në bashkëpunim me të gjitha institucionet në nivel vendor dhe qëndror.

Më poshtë vendimi i plotë i qeverisë:

 

V E N D I M

PËR

KRIJIMIN E AGJENCISË KOMBËTARE TË UJËSJELLËS- KANALIZIMEVE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 10, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, dhe të nenit 6, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

  1. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
  2. Krijimin e Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve (AKUK).
  3. AKUK-u është person juridik publik, buxhetor, në varësi të ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës.
  4. AKUK-u është organ shtetëror i specializuar në fushën e ujësjellës- kanalizimeve dhe trajtimit të ujërave të ndotura. Ajo mbështet teknikisht politikat e ministrisë përgjegjëse për infrastrukturën, në përputhje me legjislacionin dhe politikat e përcaktuara në strategjitë sektoriale, si dhe politikat përkatëse për administrimin e ujërave dhe mbrojtjen mjedisore të cilësisë së ujërave.
  5. AKUK-u ka stemën, logon dhe vulën e vet zyrtare, të cilat miratohen nga ministri i Transportit dhe Infrastrukturës. Stema përbëhet nga stema e Republikës së Shqipërisë, me shënimet: “Republika e Shqipërisë, Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, Agjencia Kombëtare e Ujësjellës- Kanalizimeve”, në përputhje me përcaktimet e vendimit nr.474, datë 10.7.2003, të Këshillit të Ministrave, “Për mënyrën e përdorimit të stemës së Republikës si dhe raportin e përmasave të saj”.
  6. ORGANIZIMI I AKUK-ut
  7. AKUK-u ka statusin e agjencisë kombëtare në nivel qendror, me seli në Tiranë.
  8. AKUK-u ka në përbërjen e saj edhe tre drejtori rajonale, si pjesë të strukturës brenda organikës së saj.
  9. AKUK-u drejtohet nga drejtori i Përgjithshëm, i cili organizon dhe drejton të gjithë veprimtarinë e kësaj agjencie dhe përgjigjet para ministrit përgjegjës për infrastrukturën.
  10. Marrëdhëniet e punës të drejtorit të Përgjithshëm të AKUK-ut dhe nëpunësve të saj rregullohen sipas legjislacionit për shërbimin civil. Për punonjësit që zbatojnë projektet e huaja respektohen aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi. Marrëdhëniet e punës të punonjësve administrativë rregullohen sipas dispozitave të ligjit nr.7961, datë 12.7.1995, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar.
  11. Struktura dhe organika e AKUK-ut miratohen me urdhër të Kryeministrit, me propozimin e ministrit përgjegjës për infrastrukturën.
  12. Metodat e brendshme të punës dhe sjellja e personelit të AKUK-ut miratohen nga ministri përgjegjës për infrastrukturën.

III. PËRGJEGJËSITË DHE DETYRAT E AKUK-ut

  1. AKUK-u, nëpërmjet autoritetit të saj ligjor dhe teknik, koordinon dhe monitoron të gjitha aktivitetet sektoriale për sigurimin e shërbimit të furnizimit me ujë të pijshëm, kanalizimeve dhe trajtimin e ujërave të ndotura, në bashkëpunim me të gjitha institucionet e vendit, në nivel qendror dhe vendor.
  2. AKUK-u ushtron këto kompetenca:
  3. a) Mbështet teknikisht zbatimin e politikave dhe strategjive në fushën e ujësjellës-kanalizimeve dhe trajtimit të ujërave të ndotura;
  4. b) Mund t’i propozojë ministrisë së linjës ndryshimin dhe përmirësimin e kuadrit ligjor e nënligjor për sektorin e ujësjellës-kanalizimeve e trajtimit të ujërave të ndotura dhe është pjesë e grupeve të punës për hartimin e politikave dhe strategjive kombëtare për sektorin;
  5. c) I propozon ministrisë përgjegjëse për infrastrukturën planifikimin e nevojave për investime për ndërtimin/rehabilitimin e sistemeve të ujësjellësve, rrjeteve të kanalizimeve, impianteve të trajtimit të ujërave të ndotura (ITUN), bazuar në programet e qeverisë dhe në masterplanin kombëtar sektorial;

ç) Kontrollon dhe miraton, nga pikëpamja teknike, të gjitha projektet e ujësjellës-kanalizimeve dhe ITUN-eve, të financuara nga buxheti i shtetit, buxheti i bashkisë, buxheti i shoqërisë UK apo institucione financiare ndërkombëtare, me qëllim garantimin dhe zbatimin e rregullave teknike të projektimit, ndjek zbatimin e projekteve me financim të huaj, në këtë fushë, si dhe të kontratave të lidhura, duke qenë përgjegjëse edhe për monitorimin e ecurisë së tyre;

  1. d) Koordinon, nxit dhe bashkëpunon me institucionet shtetërore, institucionet financiare ndërkombëtare, investitorët dhe palët e interesuara për zbatimin e strategjive të sektorit për shërbimet e ujësjellës-kanalizimeve dhe trajtimit të ujërave të ndotura;
  2. dh) Është përgjegjëse për metodologjinë dhe shpërndarjen e subvencioneve të planifikuara në buxhetin e shtetit, në përputhje me ligjin dhe aktet nënligjore në fuqi;
  3. e) Është institucioni përgjegjës për hartimin dhe zbatimin e procedurave dhe programit të monitorimit për shërbimet e furnizimit me ujë, të kanalizimeve dhe trajtimit të ujërave të ndotura;

ë) Ka të drejtë të ushtrojë kontrolle, me karakter teknik, në çdo subjekt që është ofrues i shërbimeve të furnizimit me ujë, të kanalizimeve dhe trajtimit të ujërave të ndotura, dhe dorëzon të dhënat për përdorimin e ujit në Kadastrën Kombëtare të Ujit, pranë ministrisë përgjegjëse;

  1. f) Ka të drejtën e përcaktimit të treguesve dhe kritereve që duhet të arrijë çdo ofrues i shërbimeve në këtë sektor në kontratën e performancës, e cila firmoset nga palët. Këto kritere miratohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për infrastrukturën;
  2. g) Mbështet politikëbërësit për hartimin e zbatimin e akteve nënligjore dhe procedurave, për procesin e kalimit të administrimit të shërbimeve të furnizimit me ujë, kanalizimeve dhe trajtimit të ujërave të ndotura, nga pushteti vendor në atë qendror, në rastet e mospërmbushjes së detyrimeve kontraktuale;
  3. gj) Planifikon nevojat për trajnime dhe koordinon punën për realizimin e trajnimeve e certifikimit, sipas akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi;
  4. h) Ngre një sistem informacioni, nëpërmjet krijimit të një regjistri elektronik dhe shkresor publik, i cili përmban informacionin lidhur me:
  5. planifikimin e investimeve që bën secila shoqëri;
  6. projektakte dhe akte për miratimin e projekteve;

iii. kërkesa për finacime, etj.;

  1. i) Koordinon nismat për investime në fushën e ujësjellës-kanalizimeve, në bazë të rëndësisë strategjike, si dhe merr pjesë dhe ofron këshillime gjatë procesit të hartimit të projekteve në fushën e ujësjellës-kanalizimeve. Përgatit, gjithashtu, projekte zhvillimore dhe projekte pilot, me kërkesë të bashkive, qarqeve dhe ministrive apo institucioneve të tjera qendrore.
  2. DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT
  3. Drejtoria e Përgjithshme e Ujësjellës-Kanalizimeve, me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, transformohet në Agjenci Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve. Të gjitha të drejtat, detyrimet dhe funksionet e DPUK-së do të vazhdojnë të ushtrohen prej saj, deri në fillimin e veprimtarisë së organeve të Agjencisë. Për nëpunësit civilë, në Drejtorinë e Përgjithshme të Ujësjellës-Kanalizimeve, zbatohen dispozitat e përcaktuara në legjislacionin e nëpunësit civil, në rastin e mbylljes dhe ristrukturimit të institucioneve.
  4. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga buxheti i shtetit, nëpërmjet Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës.
  5. Ngarkohen Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës dhe Drejtoria e Përgjithshme e Ujësjellës-Kanalizimeve për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

GE/ tvbulqiza.al