Te fundit

Rama: Në tetor do të rishikojmë qëndrimet tona në koalicion

Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama, shpreh rezerva për mënyrën se si u hartua dhe u debatua Reforma në Drejtësi, për mungesën e transparencës, por dhe konceptimin e reformës si sfidë personale dhe si mjet kërcënimi për kundërshtarin politik.

Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Rama shprehet se miratimi i reformës përbën çeljen e një epoke të re për ndërtimin e shtetit të së drejtës. Ai vlerëson si përcaktues rolin e kryeparlamentarit Meta në arritjen e konsensusit të plotë në Kuvend për këtë reformë, por dhe të ambasadorëve Lu dhe Vlahutin që, sipas tij, iu desh të zhvisheshin nga kostumi diplomatik e të bënin politikanin e modelit shqiptar, transmeton syri.net.

“Nëse ne kemi rezerva, përkatësisht pretendime jo vetëm për 2-3 ministra, po për gjithë sistemin qeverisës në vend, e bëjmë pikërisht të nisur prej interesit madhor të shërbimit ndaj vendit. Në krye të rendit të angazhimeve tona është jetësimi i reformës në drejtësi, që ndryshimet kushtetuese që u bënë me aq mund, të mos mbeten në letër, po të bëhen të prekshme nga qytetarët që kanë nevojë për drejtësinë e drejtësisë”- thotë ai.

Sipas tij, me të “njëjtin angazhim e përgjegjshmëri do të punojmë për përmbushjen e të gjitha angazhimeve qeverisëse, duke e përkthyer konsensusin në votimin e reformës në drejtësi në vlerën reale që ai mbart e transmeton në mjedisin politik shqiptar”.

Ndryshe nga paketa kushtetuese, Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së është i prirur që në vjeshtë, 7 ligjet që shoqërojnë këtë paketë të debatohen hapur, por jo vetëm ato, por dhe çdo gjë që lidhet me një qeverisje sa më të mirë. Kërkesën për impulse të reja në qeveri, për LSI-në, sipas Luan Ramës, është një angazhim patriotik që udhëhiqet nga interesi i qytetarëve. Në lidhje me bashkëpunimin e ardhshëm elektoral, Rama shprehet se do të jetë Konventa kombëtare e LSI-së që do të vendosë në vjeshtë trendin e qëndrimeve politike të kësaj partie.