Te fundit

Raport sekret për drogën, kultivuesit shqiptarë i ruajnë parcelat me dron

Kanabis-Tepelene-6

Territori i vendit është mbushur me parcela kanabisi që janë të lokalizuara në 363 zona, ku sasia e bimës narkotike është më e përqendruar.

Lajmi bëhet me dije në një raport sekret të agjencive ligjzbatuese, që është hartuar edhe me ndihmën e partnerëve nga Gjermania dhe Italia.

Raporti, i cili u bë publik dje edhe nga “Vizion Plus”, jep një tablo të plotë të trafikut të hashashit që gjeneron miliarda euro fitime përmes parcelave të mbjella me kanabis që tregtohet më pas jashtë Shqipërisë.

Nuk është ende e qartë nëse ky dokument është i njëjtë me raportin e SHISH-it dërguar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda disa muaj më parë, që u bë shkak për nisjen e hetimeve për lidhje të dhjetëra zyrtarëve të Policisë me kultivimin dhe trafikimin e drogës.

Në raport, Shqipëria konsiderohet një prej prodhuesve kryesorë të kanabisit në Europë, duke mundur të kalojë mbi një mijë ton marijuanë në vit.

Trafikantët nga Jugu në Veri bashkëpunojnë me drejtues lokalë dhe oficerë të Policisë, për të garantuar mbrojtjen e parcelave me drogë kundrejt pagesës prej 10 eurosh për rrënjë, ose duke dhënë si këmbim 30% të prodhimit në fund, theksohet në raport.

Të dhënat sekrete që përmban dokumenti kanë evidentuar se trafikantët, veç bandave të armatosura, pra veç personave të armatosur që kanë angazhuar në terren, po përdorin edhe dronët për kontrollin e hapësirave tokësore që kanë mbjellë me kanabis.

Siç vëren raporti në fjalë, për herë të parë kjo teknologji është zbatuar në Krujë dhe sipas të dhënave, po përhapet me shpejtësi edhe në zona të tjera në Jug të vendit.

Raporti bën me dije se këtë vit tendenca e kultivimit të drogës i ka kaluar parashikimet.

Zonat problematike:

Dokumentet tregojnë se hashashi ka mbuluar lumin e Vlorës, Tepelenën, malësitë e Dukagjinit, por edhe zona të tëra në Juglindje e Veri, pra në Fier, Berat, Skrapar, apo edhe në Mat, Krujë e Dibër.

Trafikantët, sipas raportit, janë kujdesur të sigurojnë fara kanabisi që sigurojnë rritje të shpejtë dhe me cilësi.

Siç vëren raporti, sasia e hashashit kalon në Perëndim, por duke ndryshuar edhe rrugët tradicionale. Sipas hetimeve që janë kryer nga hartuesit e dokumentit, tonelatat me drogë ndjekin itinerarin:

Shkodër – Mali i Zi – Serbi – Hungari dhe më pas në Gjermani.

Në tregjet perëndimore, marokenët janë drejtuesit kryesorë të trafikut dhe ata, sipas informacioneve, bashkëpunojnë ngushtë me grupet shqiptare.

Këto grupe shpërndajnë hashashin në Itali e Greqi, e më pas dhe në Holandë, Francë, Hungari, Çeki, Austri e Gjermani.

Raporti thekson se çdo vit në Europë harxhohen 24 miliardë euro për drogën dhe një pjesë e mirë e këtyre fitimeve u kalojnë grupeve kriminale shqiptare.

/tvbulqiza.al