Te fundit

Rio, flaka olimpike gati të hyjë në stadiumin e famshëm të futbollit “Maracana”

1470410987CpDxYxYWEAA1gw4.jpg-largeRitmet samba janë më shumë sesa të kumbueshme në Rio de Janeiro, teksa flaka olimpike është thuajse gati të hyjë në stadiumin e famshëm të futbollit “Maracana”, për të zyrtarizuar edhe fillimin e Lojërave Olimpike të kësaj vere pasditen e kësaj të premteje.

Brazili po përpiqet që të harrojë përkohësisht të gjitha ngjarjet kontroversiale, problemet dhe protestat, pasi ky është vërtet momenti i duhur për të festuar.

Në qytetin bregdetar ikonë ekziston një atmosferë e ngjashme me ato të karnavaleve dhe kjo është vënë re që prej së enjtes mbrëma, kur flaka olimpike parakaloi përmes Madureiras, zonës veriore të Rios, e njohur në mbarë botën për shkollat e saj tradicionale të sambas. Këngëtarja veterane Tia Surica u emocionua jashtë mase kur mori flakën olimpike në duart e saj.

“Kam parakaluar në Sambadrome (stadiumi i sambas në Rio) çdo vit. Por kjo ishte një surprizë për mua dhe mbeta e mahnitur. Një ndjenjë që do ta mbaj në kujtesën time përgjatë gjithë jetës”, tha ajo.

Ceremonia e hapjes që do të zhvillohet mbrëmjen e kësaj të premteje, do të shihet nga 50 mijë njerëz të pranishëm në stadium, por edhe nga afro 3 miliardë të tjerë anembanë botës përmes televizioneve.

Lojërat e 31-ta Olimpike verore, e të parat e organizuara në Amerikën e Jugut, do të zhvillohen deri më 21 gusht. Organizatorët shpresojnë që fillimi i tyre të mund të shuajë muajt e fundit të publiciteteve negative për Rio de Janeiron, që është trumpetuar qoftë për ujin dhe ajrin e ndotur, madje edhe për të meta në çështjet hidraulike. Ndërkohë që fshatin olimpik, më së shumti e ka shqetësuar virusi “Zika”, për të mos folur për çështjet ekonomike dhe ato presidenciale.

Legjenda e futbollit brazilian, Pele pritet të mbajë në duart e tij flakën olimpike e ta vendosë atë drejt kusisë, pavarësisht problemeve të rënda shëndetësore që ka pasur dhe që mund t’i ketë edhe gjatë mbrëmjes së sotme. 75-vjeçari fitues i tri kampionateve botërore i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale në legen gjatë dhjetorit, ndaj dhe e ka të nevojshme mbajtjen e një shkopi për të ecur.

Ndërkohë, atletët e shumtë dhe vizitorët nga mbarë bota po priten në Rio me një “mirëseardhje shumëngjyrëshe”, kjo falë projekteve të shumta dhe të mahnitshme të pikturave të rrugës.