Te fundit

SHUPENZË, BANORËT:U HELMUAM NGA UJI I PIJSHËM  QENDRA SHËNDETËSORE JO TRANSPARENTE PËR NGJARJEN

Të dielën, u dencua nga banorët e Njësisë Administrative Shupenzë, të Bashkisë Bulqizë, se janë helmuar rreth 30 persona. Gazetari ynë shkoi në vendngjarje për ta ndjekur situatën nga afër, ku kontaktoi me banorë të zonës dhe me familjarë të cilët kanë pasur persona të dyshuar për helmim.  Të gjithë personat e intervistuar deklarojnë se helmimi ka ardhur nga uji i pijshëm, pas dëmtimit të tubacionit të rrjetit të ujësjellësit dhe përzierjes së ujit të pijshëm me ujërat e zeza.Këtë dyshim të banorëve për helmim nga uji i pijshëm i ndotur, drejtori i Ujësjellësit të Bulqizës, Asllan Daxha, gjatë një bisede telefonike  e ka kundërshtuar duke hedhur poshtë pretendimin se helmimi ka ardhur si pasojë e ndotjes së ujit të pijshëm. Por pamjet filmike të tubacioneve të lidhura në rrjetin e ujësjellësit të Shupenzës të lënë të dyshosh se burimi i helmimit të banorëve mund të vijë edhe nga këtu, pasi tubacionet janë të shtrira në kanalin anës së rrugës ku përzihen ujërat e bardha me ujërat e zeza. Burime informacione bëjne me dije se Ndërmarrja e Ujësjellësit në Bulqizë, pas deklarateve të banorëve, ka marrë kampione të ujit të pijshëm në disa pika të rrjetit të ujësjellësit të Shupenzës dhe i ka dërguar për analizë pranë Qendrës shëndetësore Shupenzë. Nisur nga ky informacion gazetari ynë kërkoi të kontaktojë me bluzat e bardha të Qendrës shëndetësore në Shupenzë, për të ditur numrin e personave të helmuar dhe për të kuptuar shkakun e helmimit të tyre. Por nga ana e punonjësve të kësaj Qendre shëndetësore mungoi transparenca, duke e lënë publikun të painformuar plotësisht për shkakun e helmimit të rreth 30 personave në Shupenzë të Bashkisë Bulqizë.