Te fundit

Tjetër përplasje mes Ramës e Metës për 7 ligjet

Rama-META-sot_0_1

Diskutimi dhe miratimi i 7 ligjeve që nevojiten për t’i bërë funksionale ndryshimet kushtetuese për reformën në drejtësi, duket se do të sjellë sërish përplasje mes dy krerëve të mazhorancës. Edi Rama lëshoi dje një sfidë “pë rata që u dorëzuan përballë presioit të jashtëzakonshëm popullor e ndërkombëtar”. Ata, që u dorëzuan, siç thotë Rama, janë në fakt ata që e kundështuan versionin tij për reformën në drejtësi. Janë PD e LSI. Kryetari i Qeverisë u lëshoi atyre një sfidë, duke parashikuar që ata, në çdo hap të miratimit të 7 ligjeve, do të vazhdojnë të rezistojnë, shkruan Lapsi.al

Edi Rama: Reforma në Drejtësi do të vazhdojë me ligjet kryesore që pasojnë reformën e miratuar kushtetuese dhe kërkojnë minimumi 84 vota. Ata që u dorëzuan përballë presionit të jashtëzakonshëm popullor e ndërkombëtar dhe presionit të brendshëm që krisi murin shurdh të Partisë Demokratike, do të vazhdojnë të rezistojnë në çdo hap e për çdo ligj të domosdoshëm për zbatimin e reformës kushtetuese. Por nuk kanë shans ta ndalin historinë e re të drejtësisë që ka nisur me hirin dhe me pahirin konsensual të 21 korrikut.

Ilir Meta u pyet për këtë në SHBA, në studion e Zërit të Amerikës. Ai, për të treguar “vullnetin e palëkundur” për ta çuar deri në fund reformën, u shpreh i gatshëm ta mbledhë parlamentin në çdo kohë, ndonëse sesioni ka përfunduar. Por Meta futi sërish në lojë vullnetin e PD –së, ashtu siç veproi me draftin e reformës: vlerësimin për mbledhjene parlamentit duhet ta japë edhe kreu i opozitës, Basha.

Ilir Meta: Parlamenti do të mblidhet në çdo moment që ne do ta vlerësojmë të rëndësishme, të gjithë aktorët e reformës në drejtësi, vendas dhe ndërkombëtarë. Pra, unë si Kryetar Parlamenti, z. Rama si Kryetar i Qeverisë dhe i Partisë Socialiste, z. Basha si Kryetar i Opozitës dhe dy ambasadorët e nderuar që përfaqësojnë Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Europian, partnerët tanë kryesorë në këtë reformë. Në këto momente, në çdo sekondë. Nuk ka gjë më të rëndësishme.

Opozita, nga ana e saj, e quan të pamundur një mbledhje të parlamentit, për shkak të përcaktimit të qartë që jep rregullorja e kuvendit. Oerd Bylykbashi sqaroi në një tjetër studio televizive, atë të ABC NEËS, të gjithë procedurën ligjore që duhet ndjekur për miratimin e 7 ligjeve. Ai u shpreh se socialistët po kërkojnë konflikt të ri me thirrjen që po  i bëjnë Komisionit të Posaçëm të Reformës në Drejtësi.

Oerd Bylykbashi: Ndryshimet kushtetuese që u miratuan me 140 vota duhet të botohen më parë në Fletoren Zyrtare. Më pas duhet të kalojnë 15 ditë që ato të hyjnë në fuqi. Më herët, nuk mund të shqyrtohen ligje që nuk kanë bazë kushtetuese. LSI nuk do t’i bashkohet socialistëve në këto procedura.

Konflikti i ri në ardhje, sipas Bylykbashit do të përfshijë edhe vetë LSI. Por përballë sfidës së re që i lëshoi Rama, LSI nuk pranon të marrë përgjegjësi mbi vete. Ilir Meta, si për ta spostuar përplasjen mes PD e PS, i bëri thirrje Komisionit të drejtuar nga Fatmir Xhafaj, që të mblidhet pa vonesë.

Ilir Meta: Asnjë pamundësi praktike nuk ka, kjo është çështje vullneti, do respektohen procedurat kushtetuese. Ndërkohë, duhet të fillojë puna dhe i ftoj anëtarët e komisionit të posaçëm që të fillojnë punën që tani, që të shohin në radhë të parë ligjin për vettingun, që t’i hapet rruga menjëherë operacionit të monitorimit ndërkombëtar, që është një garanci tjetër për seriozitetin në implementimin e kësaj reforme dhe më pas të gjithë ligjet për Prokurorinë Speciale, për Byronë Kombëtare të Hetimit dhe gjithçka tjetër.

Fatmir Xhafaj u ka dërguar një e-mail anëtarëve të Komisionit ku i njofton për një mbledhje të mundshme. Sigurisht, një lëvizje që i vjen me kërkesë të kryetarit Rama. Një thirrje të mëparshme të Metës që të mblidhte komisionin për të miratuar ndryshimet e arritura me reformën me ndërhyrjen e komisionerit Hahn, Xhafaj e refuzoi.

Opozita, që përpara se të jepte votën për reformën në drejtësi shpjegoi se i duhej kohë për të shqyrtuar 7 ligjet. BE duket se po bën presion që këto ligje të miratohen brenda të enjtes. Por ky presion, ashtu siç duket, do t’i përplasë edhe njëherë palët, sërish në të njëjtën formë; me Ramën që akuzon PD, me PD –në që kërkon respektim të procedurave e ligjeve dhe me Metën që shprehet i gatshëm për ta mbështetur aleatin në qeveri, por si gjithnjë këto kohët e fundit, jo pa përfshirjen e opozitës.

/tvbulqiza.al