Te fundit

Zgjedhjet në Dibër: PS çon në Gjykatën administrative vendimin e Presidentit për datën e zgjedhjeve

bujar_419049151Gjykata Administrative do të vendosë për herë të parë, që prej krijimit të saj, për vlefshmërinë e një dekreti presidencial. Bëhet fjalë për dekretin e shpalljes së zgjedhjeve më 11 shtator në Bashkinë e Dibrës, pasi Gjykata Kushtetuese la në fuqi vendimin e qeverisë për shkarkimin e kryebashkiakut Shukri Xhelili.

Kërkues për pezullimin dhe pavlefshmërinë e dekretit të presidentit është Partia Socialiste, e cila thotë se Bujar Nishani duhet të kishte pritur botimin në Fletoren Zyrtare të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Sipas forcës më të madhe qeverisëse, ky është një detyrim që buron nga Kushtetuta dhe mosrespektimi i këtij hapi e bën nul dekretin e presidentit.

Ankimi i Partise Socialiste në Gykatën Administrative erdhi pasi presidenti refuzoi kërkesën publike të forcës në pushtet për ta shpallur dekretin e tij të pavlefshëm. Presidenti Nishani mbrojti pozicionin e tij të enjten, kur tha se vet Gjykata Kushtetuese e ka bërë interpretimin e vendimit të saj, kur i ka dërguar brenda ditës njoftimin për vendimin e marrë.

Sipas presidentit, dekreti i tij përmbush çdo kërkesë kushtetuese dhe ligjore për shpalljen e zgjedhjeve, pas ndërprerjes së mandatit të kryebashkiakut të Dibrës.

Por beteja ligjore mes Partisë Socialiste dhe Presidentit mund të ndikojë edhe në punën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. KQZ-ja ka lajmëruar mbledhjen të hënën për të marrë të paktën 6 vendime, që lidhen me përgatitjen e procesit zgjedhor në Bashkinë e Dibrës.