Te fundit

E moshuara e dhunuar nga djali në Bulqizë: Ja si më torturonte

dhune-e-moshuar-400x223

75 vjeçarja Hatixhe Alla prej vitesh pësonte dhunën e ushtruar nga i biri, një dhunë të cilës i ishte nënshtruar, pavarësisht të gjithave.

Por, 75 vjeçarja nuk është e vetmja viktimë e kësaj dhune sistematike.

Të gjithë anëtarët e familjes në zonën e Fushë Bulqizës dhunoheshin vazhdimisht dhe nxirreshin nga shtëpia nga 55-vjecari Faik Alla, i cili qëndronte thuajse gjithë kohës i alkoolizuar.

Në një intervistë në Neës 24, 75-vjeçarja nuk e fsheh dhimbjen për arrestimin e të birit prej tre ditësh. Ndërsa tregon shenjat e episodit të fundit të dhunës, ajo deklaron se kreu denoncimin në polici, pasi nuk shihte më asnjë zgjidhje tjetër.

“Shiko si mi ka ba duart, prandaj qemë në polici, e futën në burg, ka tre ditë që rri në burg”,tregon e moshuara.

Të gjithë anëtarët e familjes, përfshirë bashkëshorten e 55-vjeçarit dhe djalin e tij të mitur, kanë qenë për vite me radhë pre e dhunës në momentet kur kryefamiljari ka qenë në gjendje të dehur. U është dashur të kalojnë shumë netë në të ftohtin e acartë, në kasollet e bashkëfshatarëve të tyre, raporton Balkanweb.

“Na merrte krejt prej dorësh, tuj na qit përjashta natën dhe në dimër. Na flejnim nëpër kasolla të huja përherë. Edhe nusja i ka rrit fëmijët nëpër kasolla”, rrëfen ajo më tej.

Megjithëse ishte kryefamiljar, Faik Alla ishte kthyer në tmerrin e familjes së vet. Dhe këto kanë qenë ndër të vetmet netë të qeta për 3 anëtarët e mbetur të familjes Alla, pas vdekjes pak kohë më parë të djalit tjetër të çiftit të ri, si pasojë e një sëmundjeje.

Një ditë më parë, policia konfirmoi zyrtarisht arrestimin e 55-vjecarit Faik Alla, pas dhunës së ushtruar ndaj nënës së tij, mosha e të cilës paraqitej si 101 vjeçare. Por në fakt, Hatixhja prej dekadash mban në gjendjen civile identitetin e vjehrrës së saj, pas një ngatërrese bërë në gjendjen civile.

“Ashtu më ka ardh pasaporta në emnin e vjerrës, ashtu i ngatërruan qysh në kohë të Enverit”,-shton e moshuara.

Aktualisht Faik Alla mbahet në paraburgimin e Peshkopisë nën akuzën e “Dhunës në familje”.

/tvbulqiza.al