Te fundit

FOTO – REPORTAZH/ NJË COPËZ HISTORIE NGA ZERQANI

KRYEFAQE

Nga Sami CURRI – Ishull.com

Rrugëtimi jonë për në Zerqan, njësi administrative e bashkisë Bulqizë nis rreth orës 13:00, ku pas disa ndalesave gjatë rrugës, bashkë me ekipin e një stacioni tv lokal mbërrijmë në shtëpinë e Naim Shehut. Zerqani është një fshat me histori, që nga dokumentat e kohës rezultonte se ishte nënprefekturë, përpara se të ndërtohej qyteti i Bulqizës, ndërsa sot është rrudhur; ku më saktë mund të themi shkëlqimi dhe rënia e Zerqanit. Por në këtë reportazh nuk do t’ju rrëfej për Zerqanin, por për një shtëpi që dikur ishte derë pritëse për të gjithë ata që kalonin nëpër Zerqan, saktësisht në shtëpinë e “Shehlerëve të Zerqanit”. Atje, ulur në pragun e portës na pret një nga pinjollët e kësaj familje, Dr. Naim Shehu, një 69 – vjeçar, që pasi doli në pension, u thirr sërish në punë, pasi komuniteti kishte nevojë për të.

Screenshot_1

Ashtu siç bënin dikur anëtarët e kësaj “dere të parë” për Zerqanin, por edhe për Bulqizën, na pret me fjalën mirëseardhëse “bujrum”, mbetur nga turqishtja e trashëguar në fjalorin e ditës së sotme. Historia e kësaj shtëpie, siç na tregon edhe Z. Shehu është e lidhur ngushtë me Teqen e drejtimit Kadri, e ndërtuar në vitin 1739 dhe e cila ndodhet vetëm pak metra larg shtëpisë. Një nga pinjollët e kësaj familje, Sheh Mustafa, që ka luftuar në betejën e Dririt në vitin 1844, ku më pas mblodhi Këshillin e 9 Maleve të Dibrës, por që u thye në betejën e Fushës së Gjoricës, e më pas u internua në Brusull të Turqisë, varri i të cilit ndodhet edhe sot e kësaj dite atje. Kjo familje është nga të paktat në Shqipëri e cila kishte një flamur të sajin, i cili ditën e sotme gjendet në Muzeun Kombëtar.

Gjatë periudhës së komunizmit kjo shtëpi u shpall monument kulture, për vlerat historike që mbart, por njëkohësisht edhe arkitekturore. Menjëherë sapo u shpall monument kulture, i’u nënshtrua edhe rikonstruksionit total, por që ky ishte edhe i fundit, pasi që prej 35 vitesh nuk e ka parë më dritën e restaurimit. Kjo shtëpi është akoma në këmbë falë kujdesit që kanë treguar anëtarët e familjes Shehu, pasi institucionet e kulturës nuk e kanë marrë mundimin për t’i hedhur sytë nga kjo shtëpi me vlera të mëdha historike.

N11

Naimi na rrëfen diçka më shumë në lidhje me të: “Kjo shtëpi është afro 400 vjeçare, ku sipër është e mbuluar me tjegulla dhe element kryesor ka drurin, ku ne si zonë i themi mure prej pliti, me trashësi deri në 70 cm. Dhomat janë shumë të vjetra, ku tavanin e kanë prej druri. Shumë vite më parë, kur të duhej të udhëtoje për në drejtim të Dibrës, kjo shtëpi ka shërbyer si stacion për udhëtarët, pasi këtu rrinin, hanin, pinin dhe flinin. Kjo shtëpi kishte prona të mëdha, por që sot një pjesë prej tyre ndodhen nën ujë”.

Bashkë me Z. Shehu, shkojmë në brendësi të shtëpisë, ku elementi i drurit na shoqëron në çdo hap. Ai me pasion dhe me shpirt mundohet të na rrëfejë sa më shumë të jetë e mundur për këtë shtëpi. Çdo cep i dhomave ishte i rrethuar nga një brez prej dërrase që Z. Shehu e quante “qepenek”, ku burrat qëndronin të ulur në të dhe ju shërbehej kafja apo ushqimi.

Në këtë shtëpi kishte kaluar edhe Abdyl Frashëri, gjatë kohës që po udhëtonte për në drejtim të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, por siç na shpjegon ai, këtu kanë kaluar edhe personalitete të tjera të kohës.

Teksa ulet në qepenek, nuk harron të kthehet pas në kohë, me sy të skuqur, gati në lotim, ndan me ne disa momente nga fëmijëria e tij: “Në sofrën ku hanim ushqim, sahani i parë ishte me lekra të regjura dhe lëngun e saj. Tasi me fasule ishte si pjatë e dytë, ku më pas mbyllej me bumur. Pas një bisede të gjatë, në një familje shumë të madhe, zienim gështenja, patate. Kjo mbyllej me frutat ku pastaj çdo anëtar shkonte në dhomën e tij”.

Për një moment, duke rrëmuar në disa skuta të errëta të shtëpisë, nxjerr një koleksion me enë të vjetra, që kjo shtëpi i kishte pasur në përdorim. Duke qenë një shtëpi e lidhur me fenë, nuk mund të mungojë kurrsesi “tumaleku” një instrument i cili përdoret gjatë riteve të ndryshme fetare. Z. Shehu, i prek një nga një, ku duke na i demostruar këto enë, mundohet që edhe tek ne të tjerët që nuk e kemi jetuar atë kohë të na e bëjë sa më të gjallë e sa më të prekshme.

N9

Qëndrimit tonë në këtë shtëpi shumë vjeçare, me vlera shumë të mëdha historike, por që prej vitesh është lënë në mëshirë të fatit i vjen fundi. Pas pesë orësh qëndrimi, largohemi nga shtëpia e familjes Shehu, me mbresat si një udhëtim përmes historisë.