Te fundit

Rabdishti, fshat turistik pa turist e pa investime

 

Rabdishti ishte një ndër 100 fshatrat e përzgjedhur nga qeveria shqiptare tre vjet më parë për tu shndërruar në një zonë që ofron turizmin malor në Dibër. Ndërkohë këtë fshat e ka vizituar vetë Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi, duke shprehur mbështetjen e tij për zhvillimin e kësaj zone në shërbim të turizmit. Por ndryshe nga çfarë është deklaruar, banorët e fshatit Rabdisht thonë se nuk po ndjejnë dorën e investimeve, ndërsa turistët shkojnë deri në hyrje të fshatit e kthehen pas. Shkak për këtë sipas banorëve bëhet gjendja e mjerueshme e rrugëve të brendshme të fshatit të tyre. Sipas banorëve, ishte premtuar që rrugët e brednshme të beheshin me kalldrëm, por që deri tani nuk është bërë asgjë. Banorët kanë investuar në banesat e tyre për t’i kthyer në bujtina, por mungesa e investimeve të tjera, thonë banorët, i bën turistët që të mos qëndrojnë asnjë natë aty.