Te fundit

Rruga e Arbrit/ A po përgatit Kryeministri Rama, aferën e radhës?

Rruga-e-ArberitKryeministri Edi Rama deklaroi përpara dibranëve në mitingun e festës së fitores së kandidatit të PS-së Muharrem Rama, se Rrugën e Arbrit do ta bënte edhe vetë.

Kjo deklaratë la për të nënkuptuar se financimi prej rreth 50 milionë euro që duhen për përfundimin e saj, do të bëhet nga qeveria shqiptare. Më herët gjatë fushatës Rama kishte deklaruar se nuk e kishte mbajtur premtimin e dhënë në vitin 2013 dhe të përsëritur në zgjedhjet lokale të 2015-ës, kur prezantoi Shukri Xhelilin, sepse nuk ishin siguruar paratë që priteshin. Të vetmit investitorë që u afruan fillimisht ishin kinezët, por edhe ata pa dhënë asnjë shpjegim publik, e braktisën projektin. Partia Demokratike akuzoi atëherë kryeministrin se kompanisë kineze i ishte kërkuar një ryshfet i madh, kusht që ata nuk e kishin pranuar, shkruan syri.net.

Por duket se kryeministri këtë herë, e ka vërtet një plan për nisjen e punimeve në Rrugën e Arbrit vitin tjetër, i cili është edhe elektoral.

Sot, Agjencia Telegrafike Shqiptare, njofton se qeveria po shqyrton dy mundësi për financimin e rrugës që është 75 km e gjatë: financim i plotë nga buxheti i shtetit, ose nëpërmjet mënyrës me të cilën ka rënë “në dashuri” Rama, partneritet publik – privat.

“Qeveria po shqyrton dy mundësi, atë të financimit nga buxheti i shtetit dhe mundësinë e një partneriteti publik- privat. Por, burime nga ministria e Financave shprehen, se më së shumti po shihet mundësia e një financimi të përbashkët me biznesin privat”, raporton ATSH.

Sipas këtij lajmi, Rruga e Arbrit do të bëhet dhe me shumë gjasa, duke u dhënë si koncesion për bizneset shqiptare. Rëndësia e përfundimit të këtij aksi jetik për dibranët dihet që është i madh, por edhe mënyra e financimit ka rëndësi. Rama ka treguar se ka një ide të tijën origjinale për “partneritetin publik-privat”. Punët bëhen me paratë e taksapaguesve shqiptarë, pra nëpërmjet buxhetit të shtetit, kurse fitimet dhe shfrytëzimin e merr privati. Nëse Rruga e Arbrit do të bëhet me paratë e buxhetit dhe pastaj do të shndërrohet në partneritet publik-privat, si edhe po ndodh me atë të Kombit, atëherë jemi përpara aferës së radhës së Kryeministrit Edi Rama.