Te fundit

SËMUNDJA E GJEDHIT “DERMATOZA NODULARE” EVIDENTOHET EDHE NË FUSHË-BULQIZË

2

Sëmundja gungore e lëkurës, që paraqitet te gjedhet, apo “dermatoza nodulare e gjedhit” tashmë ka prekur edhe Fushë-Bulqizën.

Një lajm i tillë është bërë i ditur nga veterinari zonës, Shkëlqim Canga, me anë të një posti në profilin e tij në Facebook.

Reste të dermatozës nodulare të gjedhit, para pak ditësh u evidentuan edhe në Shupenzë.

Aktualisht sëmundja dyshohet që është shfaqur në zonat afër Maqedonisë, pasi në këtë shtet ka kohë që i ka prekur gjedhët. Fermerëve iu kërkohet që të minimizojnë ekspozimin e kafshëve ndaj insekteve mushkonjave dhe mizave thumbuese.

Ministria e Bujqësisë dhe Ushqimit, njoftoi bllokimin e importit të kafshëve të gjalla dhe të mishit nga disa vende të Ballkanit, pas lajmeve se në disa shtete të rajonit është shfaqur sëmundja “dermatoza nodulare e gjedhit”. Kjo sëmundje, e cila nuk paraqet rrezik për njerëzit, është tani e pranishme në Turqi, Maqedoni, Kosovë, Serbi, Bullgari dhe Greqi.

Me urdhër të posaçëm të ministrit të Bujqësisë, Edmond Panariti, është ngritur një Task Forcë, e përbërë nga veterinerë dhe epidemologë për informimin, parandalimin dhe monitorimin e përhapjes së kësaj sëmundje. Ministria e Bujqësisë u bën thirrje fermerëve të sinjalizojnë menjëherë çdo dyshim për prezencën e kësaj sëmundje pranë Drejtorive të Bujqësisë në të gjithë vendin, ose pranë Shërbimit Veterinar, në Ministrinë e Bujqësisë.

Çfarë është sëmundja e Dermatozës Nodulare?

Sëmundja e Dermatozës Nodulare të Gjedhit shkaktohet nga “pox virus” që prek vetëm gjedhin. Ai nuk prek njerëzit apo kafshët e tjera. Infeksioni shpërndahet nëpërmjet pickimit të mizave dhe mushkonjave, nga kontakti direkt ndërmjet kafshëve të llojit gjedhë, nga ferma në fermë nga këpucët, veshjet dhe materialet e kontaminuara, ndoshta edhe nëpërmjet mënyrave të tjera duke përfshirë dhe spermën. Sëmundja shpërndahet shpejt në stinën e verës kur vektorët janë më të përhapur.

Kafshët e infektuara kanë temperaturë të lartë, anoreksi, dobësohen, lëvizin me vështirësi dhe bëhen të pafuqishme. Kur ato infektohen, lopët barrsë shpesh abortojnë, lopët me qumësht kanë ulje të menjëherëshme të prodhimit të qumështit.

Në fazën e hershme të infeksionit, kafshët e prekura kanë ënjtje në këmbët dhe mund të kenë rrjedhje nga sytë dhe hundët. Ënjtjet kalojnë në lëkurë dhe mund të mbulojnë zona të mëdha të trupit, kokën dhe qafën; këto ënjtje në lëkurë bëhen të forta dhe kanë diametër nga 2 deri 5 cm. Mbas 14 ditësh, sipërfaqja bëhet e thatë dhe e sheshtë dhe me forma të mëdha me kore, të cilat mund të zhvishen, duke lënë një krater që tërheq mizat.

Në tufat e prekura, nga 40% deri në 90% e gjedhëve japin lezione në lëkurë megjithëse ato mund të jenë 100% të infektuara; disa gjedhë bëhen mbartës të virusit. Shkalla e ngordhshmërisë normalisht nuk e kalon 5% të kafshëve.
Sëmundja e Dermatozës Nodulare e Gjedhit shkakton humbje ekonomike serioze. Prodhimi i qumështit reduktohet; në kafshët e reja rritja zvogëlohet; dhe fertiliteti në demat reduktohet. Efektet janë afatgjata dhe pengesa serioze për prodhimin e gjedhëve.

Legjislacioni veterinar në fuqi përcakton qartë masat që merren për kontrollin e Sëmundjes së Dermatozës Nodulare të Gjedhit. Masat e kontrollit përfshijnë:

• Ndalimin e lëvizjes së gjedhëve dhe kafshëve të tjera brenda dhe përreth zonës së vatrës, ku kemi dyshimin që është shfaqur sëmundja;
• Marrjen dhe forcimin e masave të biosigurisë në të gjitha fermat, psh. duke përdorur pajisje mbrojtëse personale, duke dezinfektuar këpucët dhe gomat e makinave që hyjnë dhe dalin nga ferma në zonat e kontrollit;
• Kontrollin e vektorëve dhe insekteve në ferma (duke përfshirë vendet e shumimit të mushkonjave) duke aplikuar në mënyrë të kontrolluar insekticide të aprovuara nga autoriteti kompetent veterinar;
• Shkatërrimin (skartimin/vrasjen) e të gjitha kafshëve me shenja klinike të sëmundjes dhe therjen e të gjitha kafshëve të tjera në cdo tufë të prekur; vaksinimi i të gjitha gjedhëve brenda dhe përreth zonave të shpërthimit të sëmundjes.

Monitorimi i veprimeve të kontrollit përfshin vizitat në fermë nga veterinerët, hetimet në terren dhe testet laboratorike të diagnostikimit. Të gjitha karkasat e gjedhit të ngordhura apo të eleminuara në fermë duhet të shkaterrohen (digjen ose groposen).

/tvbulqiza.al

1